• Kreu
  • |
  • Si i hyn në punë ChatGPT ekspertëve të HR?

Si i hyn në punë ChatGPT ekspertëve të HR?

3 Korrik, 2023

Të flasësh për inteligjencën artificiale, por ChatGPT në veçanti nuk është më “avantgarde”. Është realiteti i ri ku e kemi gjetur veten dhe ku njerëzit e mençur po mundohen të përshtaten sa më shpejt, që ta përdorin në avantazhin e tyre. Profesionistët e burimeve njerëzore nëpër botë tashmë jane hedhur në sulm për të bërë të tyret praktikat më të mira nga çfarë ChatGPT ofron, edhe pse është në një gjendje ende shumë infantile dhe njërëzit që punojnë për të  thonë se duhet akoma punë në zhvillimin e ChatGPT. Është e çuditshme të mendosh që pikërisht departamente dhe punonjës që i dedikojnë gjithë orët e tyre të punës qenieve njerëzore do të ishin kaq entuziastë për një koncept që tingëllon teknologjik dhe shumë larg përditshmërisë së punës si HR. Përpara se të fillojmë të analizojmë, cilat janë avantazhet dhe pikat e dobëta të të punuarit me ChatGPT si profesionistë HR, duhet të kuptojmë për çfarë bëhet fjalë.

ChatGPT iu prezantua botës në fund të nëntorit të shkuar, si një shprehje e inteligjencës artificiale që të jep mundësinë e përpunimit  të  gjuhës së përdorur  nga njerëzit (NLP) për të kuptuar pyetjet e përdoruesve dhe për të automatizuar përgjigjet ndaj tyre, duke simuluar kështu një bisedë njerëzore. Ashtu si një lojë tenisi, me ChatGPT njëri pyet dhe tjetri përgjigjet – në mënyrë të pandërprerë deri sa të arrihet qëllimi.  ChatGPT mund të bëhet asistenti perfekt (të cilin ske pse e paguan) për sa kohë ti e ke të qartë se çfarë kërkon prej tij.  Për ti hedhur një sy vetë, mund të klikosh këtu edhe ta provosh se si mund të të vijë në ndihmë në kontekstin tënd.

Si mund të kthehet ChatGPT në mjet që profesionistët e burimeve njerëzore mund të integrojnë me shumë lehtësi dhe mençuri si pjesë të praktikave aktuale të punës? Më lejoni të tregoj disa nga avantazhet të cilat mund të përfitoni nga përdorimi i kësaj platforme!

  1. Procesi i Futjes në kompani i punonjësve dhe ofrimi i asistencës së vazhdueshme nga ChatGPT. Këtu bëhet fjalë për atë që njihet gjerësisht si Onboarding, ku ChatGPT mund të ndihmojë punonjësit të informohen dhe të kuptojnë më tepër mbi politikat e kompanisë ku punojnë, njohjen me ligjin në kontekstin shqiptar lidhur me lejet , pushimet dhe benefitet e ndryshme që iu takojnë si punonjës. Përgjigjet janë shumë të sqaruara, bazuar mbi gjithë informacionin në databaza të ndryshme në internet dhe procesi mund të “hinkëzohet” nga pyetje shumë të përgjithsme, në pyetje më të specializuara sipas nevojave të punonjësit që e përdor. Në të njëjtën kohë në rast se të duhet të formulosh dokumentacion mbi futjen e punonjësve, ChatGPT mund të krijojë një përgjigje enkas për ty duke përmbledhur kërkesat që ke për të përfshirë në këtë proces.
  1. Vetë-shërbimi i punonjësve: ChatGPT fuqizon punonjësit të gjejnë informacione vetë, duke reduktuar varësinë e tyre nga ndihma e departamentit të burimeve njerëzore. Punonjësit mund të bëjnë pyetje në lidhje me politikat, përfitimet ose procedurat e BNJ dhe ChatGPT do të japë përgjigje të menjëhershme. Kjo kursen kohë si për punonjësit, ashtu edhe për profesionistët e HR.
  1. Liron kohë për HR për të bërë detyra më komplekse, sesa procedurat më të thjeshta. Këtu kam në mendje llogaritjen e ditëve të pushimit, procesimi i lejeve ose krijimi i përgjigjeve të automatizuara që ndihmon profesionistët e burimeve njerëzore të shkurtojnë kohë dhe të përqëndrojnë energjitë e tyre në detyra më të vështira. Njëkohësisht profesionistët e HR mund ta përdorin si një mjet për t’iu dhënë ide mbi tematika të caktuara apo përpilimin e dokumenteve me nivel të ulët të të konceptuarit – si p.sh. krijimin e një përshkrimi pune për një rol specifik.
  2. Mundëson në kohë rekord një informacion të detajuar mbi cdo temë për të bërë kërkim (ang. research). Ti mund ta shkurtosh apo zgjerosh kërkimin tënd në bazë të nevojave që ke, mund ta orientosh ChatGPT në perspektivën ku je i/e interesuar dhe t’i kërkosh që ta formulojë  përgjigjen si një email draft, propozim apo prezantim. Nuk të duhët më që të shpenzosh shumë orë pune për të gjetur fjalët e duhura dhe për të bërë kërkime pafundësisht.

Nëse jeni dikush që ka shumë qejf të provojë gjërat e reja, gjasat janë që tashmë i ke hedhur një sy ChatGPT, sa për kuriozitet.  Nëse, ende nuk e ke provuar, më lejo të të paralajmëroj mbi disa çështje që kanë nevojë për vëmendjen e çdo përdoruesi. (Aq më pak nqs je duke e përdorur për detyrat e tua në punë).

  1. Përdorimi nuk është gjithmonë i thjeshtë. Për të bërë të mundur gjenerimin sa më të shpëjtë të informacionit që ke nevojë të duhet të zhvillosh aftësitë e tua të kërkimit, duke bërë pyetje që jane shumë specifike dhe që i shkojnë më shumë përshtat interesit që ke mbi çështjen / temën me të cilën po merresh. Kërkesa që po bën duhet të jetë e qartë, të ketë një qëllim dhe të jetë e thjeshtë por specifike duke përdorur fjalë kyç që e drejtojnë ChatGPT atje ku dëshiron. Kur bëhet fjalë për HR, politikat, procedurat dhe proceset – të njohurit e terminologjisë që përdoret gjerësisht nga industria është shumë e rëndësishme. Megjithëse mund të kërkosh edhe në shqip, unë do të rekomandoja kërkimin në anglisht, për të shmangur marxhin e gabimit që ndodh prej përkthimit. Kjo patjetër shton nivelin e vështirësisë në të operuarit në një gjuhë tjetër për procese që të duhet ti aplikosh në vendin tonë.
  2. Konteksti! E vërteta është që pavarësisht se ChatGPT është alamet kolegu që është gjithmonë i sjellshëm pavarësisht sa herë ia kthen mbrapsht punën – nuk duhet harruar që vazhdon të mbetet një robot. Si i tillë nuk arrin të bëjë ndonjë diferencë të madhe midis kërkesës tënde dhe të dikujt në anën tjetër të botës me një kontekst pune komplet të ndryshëm nga i yti. Këtu flasim për vendin ku jetojmë, madhësinë e kompanisë, llojin e industrisë dhe çfarëdo karakteristike tjetër që ndikon variablat e përgjigjes që përftohet për ne… Është detyra jote që pasi të marrësh rezultatet e gjeneruara nga ChatGPT, të redaktosh sa më mirë të mundesh duke marrë parasysh kontekstin mbi secilën strategji, draft email, propozim apo detyrë që i ke dhënë. 
  1. Konfidencialiteti. Ashtu sic paralajmërohesh edhe prej platformës, për qëllimet e veta kjo platformë grumbullon informacion vazhdimisht në bazë të gjithë gjërave që ti shkruan. Ki parasysh mos të japësh detaje të rëndësishme dhe që nuk duhet ti bësh publike që lidhen me kompaninë apo me vetë punonjësit. Në rast të krijimit të një kontrate, draft emaili apo strategjie, rekomandoj të mos përdorësh emra të përveçëm, gjeneralitete apo informacione të tjera për punonjës që ti i konsideron sensitive. Nuk i dihet kurrë çfarë mund të bëhet publike, në këtë botë tëknologjike shumë të paparashikueshme.
  2. E fundit – pavarësisht gjithë diskutimeve është ende një platformë në zhvillim , me informacion jo përherë të përditësuar dhe nganjëherë që përsëritet vazhdimisht. Duhet bërë kujdes sidomos nqs po kërkon ndonjë informacion që lidhet me legjislacionin. 

Për ta mbyllur, ashtu sikundër çdo profesionist tjetër edhe ata që punojnë në HR mund të përfitojnë nga inovacioni që sjell ChatGPT. Mund të jetë shumë i dobishëm në rast se ke mençuri për të ditur çfarë kërkon dhe si të redaktosh rezultatin përpara se ta përdorësh. Sidoqoftë, kur e përdor këtë platformë për “punë pune” , duhet të kujtosh që mban përgjegjësi për çdo informacion që fut brenda platformës dhe për çdo informacion që servir si punën tënde pasi ke bashkëpunuar me ChatGPT. Përdore me mençuri!

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}