• Kreu
  • |
  • Marka e punëdhënësit – Çfarë të bësh për të qenë promotori më i madh i kompanisë tënde

Marka e punëdhënësit – Çfarë të bësh për të qenë promotori më i madh i kompanisë tënde

4 Maj, 2023

Marka e Punëdhënësit (njohur ndryshe si në anglisht  Employer Branding), është koncepti i ri për të cilin do flasim sot. Siç e do tradita, që gjërat e vështira të mundohemi ti shpjegojmë thjeshtë në “Çdo gjë HR”, Marka e Punëdhënësit është reputacioni (i mirë ,i keq, jo-ekzistent) që një kompani ka në tregun e punës. Ky reputacion bazohet në disa faktorë që përfshijnë: politikat e brendshme të kompanisë, programet dhe iniciativat e ndryshme, paketa e kompesimit me shpërblimet / benefitet që marrin etj. Ky reputacion ndërtohet shumicën e kohës nga kandidatët që aplikojnë për një pozicion pune dhe punonjësit ekzistues.

Pse po iu marr kohë nga jeta juaj për të shkruar për këtë koncept? Sepse është në të mirën tuaj si Ekspert/e HR-je dhe në të mirë të kompanisë ku punoni. Marka e punëdhënësit ndikon në mënyrë të drëjtpërdrejtë në joshjen, punësimin dhe mbajtjen e personave më të talentuar dhe më të aftë nga tregu i punës, në kompaninë tuaj. Në gjuetinë e famshme për talente, të punuarit për reputacionin e kompanisë suaj iu bën më të zotë për të marrë atë për të cilën po konkurroni. 

Çfarë hapash konkretë mund të bësh ti si HR për të ndikuar në reputacionin e kompanisë ku punon?

  1. Vlerëso reputacionin aktual! Si dhe për çfarë  njihet kompania në të cilën punon? Çfarë  është gjëja e parë që iu shkon në mendje njerëzve kur bëhet fjalë për të? Mënyrat  më të thjeshta se si ti futesh punës për këtë janë dy. Ti mund të shpërndash disa pyetësorë për parë se çfarë mendojnë punonjësit aktualë ose kandidatët që vijnë për tu punësuar aty. E dyta, nëse nuk e ke krahun e lirë mund të bësh disa intervista informale me persona që ti i mendon kyç për reputacionin e kompanisë.
  2. Krijo një strategji që promovon vizionin, vlerat dhe qëllimet e kompanisë. Këtu mund të rishikosh disa nga proceset aktuale që ke në dorë vetë dhe të mundohesh të futësh strategjinë e re që do të implementosh. Duke filluar që nga mënyra sesi bëhet postimi i ofertave të punës dhe komunikimi që përdoret, duke vazhduar me administrimin e proceseve si aplikimi dhe intervistimi. (Shënim: muajin e shkuar kam bërë një artikull që mund të të hyjë në punë lidhur me intervistimin). Strategjia bëhet edhe më e rëndësishme në procese si negocimi për ofertën përfundimtare apo tek hyrja e punonjësve të rinj në kompani , njohur ndryshe si Onboarding.
  3. Ndarja e përgjegjësive kur bëhet fjalë për krijimin e një marke është shumë e rëndësishme. Departamenti i marketingut mund të bëhet një ndihmë shumë e madhe kur bëhet fjalë për strategjinë për të ngritur një markë punëdhënësi që mbahet mend për mirë.  Punonjësit brenda kompanisë jane gjithashtu shumë të vlefshëm për tu bërë ambasadorë që përcjellin vlerat dhe kulturën e të punuarit në kompaninë tuaj. Çfarëdo   elementi që e bën kompaninë të dukshme në sytë e njerezve jashtë dhe është një mënyrë më tepër për të ngritur një strategji që ndihmon markën e punëdhënësit tuaj.  
  4. Të gjitha përpjekjet tuaja janë të kota për aq kohë sa nuk keni një mënyrë për të rregjistruar dhe analizuar atë që po përpiqeni të bëni. Përcaktimi i qëllimeve specifike dhe të matshme ndihmon në krijimin e strategjisë së markës së punëdhënësit. Pasi të keni bërë këtë gjë dhe të keni vendosur qëllimet tuaja, rregjistrimi është i thjeshtë dhe analiza e të dhënave të mbledhura bëhet më konkrete.

Përpara se ta mbyll këtë artikull, dua të ndalem në 3 faktorë shumë të rëndësishëm që duhen pasur në mendje nqs do marrësh përsipër të punosh për markën e punëdhënësit. 

  1. Dukshmëria e markës që po përpiqesh të krijosh për punëdhënësin (referohemi si punëdhënës për  kompaninë, jo shefin :P) Sa e njohin njerëzit jashtë dhe brenda kompanisë vizionin, vlerat dhe kulturën  e saj? Çfarë  thonë për kompaninë? A duan të punojnë aty? Të gjitha këto tregojnë shumë dhe mund të ndihmojnë strategjinë që kërkon të krijosh.
  2. Tërheqja që kompania ka në tregun e punës. Sa shpejt i josh talentet e reja apo personat e kualifikuar reputacioni që kompania ka? Kjo mund të shikohet dhe më pas matet nga numri i aplikantëve për pozicionet vakante. Mund ta shohësh në aspekt sasior (sa i madh është numri i personave që aplikojnë?) ose cilësor (sa të mira jane prurjet e kandidatëve që ëhen pjesë e procesit te intervistimit dhe selektimit.
  3. Eksperienca që kanë si kandidatët, ashtu edhe punonjësit. Kjo mund të vëzhgohet në bazë të përgjigjeve në sondazhe që mund të zhvillosh ,review apo ratings që mund të bëhen online etj.

Reputacioni i kompanisë ku punojmë ndikon drejtpërdrejt punën e departamentit të burimeve njerëzore në të gjithë ciklin që duhet të bëjë çdo punonjës në kompani. Është  e pashmangshme të punosh për krijimin e një marke punëdhënësi që përfaqëson denjësisht punën dhe kompaninë në treg, nqs duam të japim më të mirën tonë aty ku jemi…

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}