• Kreu
  • |
  • Të jesh i mësueshëm

Të jesh i mësueshëm

25 Janar, 2022

Te jesh i mesueshem

Kur je profesionist i ri, sidomos ditët e para ndodhesh në një situatë kur ti dëshiron kaq shumë të dukesh eksperti, por e vërteta është që as që ja ke haberin fare asaj për të cilën po flitet apo kërkohet që të bësh… Mesa duket 5 vite shkollë nuk mjaftuan për të na bërë  “të gjithë ditur” për pozicionin e punës që kemi. Në këtë rast, dilema është të bëj sikur e di shumë mirë për çfarë bëhet fjalë dhe ta fus veten në kushedi ç‘qorrsokak apo të dal si një e paaftë në sytë e disa njerëzve që dua të krijoj një reputacion të mirë…

E pashmanshmja do të ndodhi!  Do bësh gabimin (ose gabimet) tënd të parë. Dhe sigurisht që do të marrësh edhe kritikën  tënde të parë… po, është pikërisht ai momenti që të duket vetja si personi më humbamen në Tokë dhe sikur gjithë bota është kundër  teje… Sikur kjo të mos mjaftonte, fillon e bluan dhe ribluan në mendje nja 100 herë si dhe pse  ta tha ashtu . Të duket situatë e njohur?

Le të mendojmë për të njëjtët skenarë, por duke parë pak më larg se hunda  jonë…

Ajo që ndodh kur sapo fillojmë punën është që personat që kanë më tepër  kohë aty dhe e dinë si funksionojnë gjërat (qoftë edhe ato teknike) duan të kushtojnë pak kohë për të ndihmuar të përshtatesh dhe tu paraprish disa nga problematikave  që mund të të ndodhin në të ardhmen. Këta persona, po zgjedhin të marrin nga koha e tyre për të shpjeguar, me dëshirën për të ndihmuar të përmirësohesh. A nuk kemi nevojë të gjithë për njerëz të tillë në jetën tonë? Aq më tepër profesionalisht. Kur thua: Po, e di! duke ja lënë fjalën në mes dikujt, nuk tregon mirënjohje kundrejt dikujt që do të mirën tënde ose të punës… Gjithashtu, një gjë për tu konsideruar për anën teknike dhe çfarëdo pajisje elektronike  është që jo të gjitha pajisjet punojnë njëlloj. Pavarësisht se për ta ndezur dhe fikur është e thjeshtë, çdo gjë ka kleçkat e veta…

Përveç  kësaj, kujto që për të qenë shumë të zotë në gjërat e vështira, duhet të dish të bësh mirë këto më të lehtat. Është pak a shumë si ajo skena tek Karate Kid, ku mësimi i parë i Dre Parker ishte të mësonte të ngrinte xhaketën nga toka dhe ta varte.

Në rastin e të qenit ekspert jo-ekspert, ka dy parime kryesore që duhen mbajtur në mendje. E para është të fokusuarit në zgjidhjen e problemit, në vend të vetes apo reputacionit tënd. Mund të tingëllojë pak makjaveliste, por e rëndësishme është që puna të bëhët, dhe të bëhet mirë! Një profesionist i mirë e mban gjithmonë këtë gjë në mendje!  Dhe meqë po flasim për profesionistët e mirë, parimi i dytë është që, në mënyrë që të jesh i tillë, duhet të kërkosh gjithmonë mënyra për tu rritur dhe zhvilluar që ta bësh punën tënde sa më efektivisht. Rritja është një koncept shumë I rëndësishëm që individi (domethënë ti dhe unë) të zhvillohemi dhe bëhemi më të zotë! Që t ë arrish këtë duhet të pranosh se nuk i di të gjitha dhe ke nëvojë për dikë që të udhëheqë dhe tregojë si bëhen gjërat. Nuk është turp, dhe sekreti është që në terma afatgjatë kjo e ndihmon reputacionin tënd. Dhe patjetër, edhe marrëdhënien me kolegët.

 Kjo puna e kritikave, për mua është si të kafshosh limon. Në fillim është shumë I thartë dhe stë pëlqen, por me sasi të vogla dhe duke e konsumuar vazhdimisht sistemi imunitar forcohet më tepër dhe sëmuresh nga më pak sëmundje. Nëse  nuk e marrim personalisht kritikën që na bëhet gjatë punës, kemi më tepër mundësi për  të mësuar. Shumë shpejt, arrin të kuptosh më mirë pikat e tua të forta  dhe të dobëta dhe tashmë mund të fillosh të përmirësohesh. Arsyeja e dytë pse kritikat janë të mira për tu gëlltitur është sepse për shkak të tyre ke mundësi që të marrësh përgjegjësi për çfarë ke bërë gabim dhe të shohësh se si mund ta përdorësh  këtë situatë për të nxjerrë një mësim të vlefshëm.

Nëse e gjen veten më të afërt në mendime dhe ndjenja  me pjesën e parë të shkrimit , gjasat janë që je një person që nuk është shumë i mësueshëm. Mos u shqetëso! Të qenit i mësueshëm është një aftësi që me pak praktikë mund ta mësojë kushdo. Është e rëndësishme të kuptosh se të jesh I hapur për të mësuar më tepër nuk ka të bëjë as me të qenit më pak kompetent në punë, as me kapacitet më të ulët. Ka të bëjë me qëndrimin që ti ke kundrejt vetes dhe të tjerëve.  Nëse je më I hapur për të mësuar dhe kuptuar, i jep më tepër mundësi vetes dhe të tjerëve dhe lejon më shumë dyer të hapen. 

John Maxwell thotë: “Nuk mund të bëhemi ajo që kemi nevojë të jemi, duke vazhduar së qeni ajo që jemi”.  Kështu që pyetja ime është e thjeshtë! A do fillosh të jesh i hapur për të ndryshuar dhe mësuar apo do zgjedhësh të ngelesh aty ku je?

Shkruaj një koment

Adresa e email nuk publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}