• Kreu
  • |
  • Mirëqenia e punonjësve – trend apo domosdoshmëri për kompaninë?

Mirëqenia e punonjësve – trend apo domosdoshmëri për kompaninë?

27 Janar, 2023

Këtë vit me Pas Pune do flasim shpesh për inovacionin dhe çdo koncept që hyn apo del nga bota e komplikuar e burimeve njerëzore. Që pas pandemisë është dëgjuar shumë për konceptin e mirëqenies nëpër kompani. Pyetja që vazhdimisht më intrigon dhe që më ka shtyrë ta filloj rubrikën e “Çdo gjë HR” është kjo: A është një fjalë ekstravagante për ti mbajtur kompanitë e zëna me nisma që fillojnë sot dhe nesër harrohen? Apo ka diçka më shumë pas gjithë zhurmës që ka gati 2 vite që bëhet rreth mirëqenies? 

E para, për çfarë bëhet fjalë? Nëse do të bëni një kërkim të shpejtë në internet do të shikoni se përkufizimi i mirëqenies është shumë i thjeshtë dhe i shkurtër: : “gjendja e të qenit i shëndetshëm dhe i lumtur”(1). Por kohërat që po jetojmë na kanë bërë të kuptojmë që ky shpjegim është i pamjaftueshëm për të marrë në konsideratë të gjitha dimensionet e mirëqenies. Do të dëgjoni shpesh të përmenden 6 dimensione mirëqenie (2) që përfshijnë anën:

Fizike - zakonet e shëndetshme që kemi për shëndetin fizik dhe ushqimin
Mendore - mirëqenia emocionale dhe psikologjike
Intelektuale - të bërit detyra që na sfidojnë, kanë kuptim dhe na japin kënaqësi
Spirituale - Kongruenca që arrihet ndërmjet 3 faktorëve (vlerave, vetëvlerësimit, moralit)
Sociale - strukturat që mbështesin individin (familja, miqtë dhe komuniteti)
Financiare - aftësia për të plotësuar detyrimet e tashme/ardhshme financiare në përputhje me standartin e jetës që dëshirojmë

Tani që e  komplikuam mjaftueshëm konceptin, gjëja e parë që të shkon në mendje është që të gjitha këto faktorë duhet të jenë përgjegjësia individuale e secilit punonjës. Duket se kompania nuk ka pse të shqetësohet për kaq shumë elementë. Por… e vërteta është që po ti shohësh tek e tek secilin faktor arrin të kuptosh se në 8 orarëshin e çdo punonjësi kompania ndikon shumë më tepër se rroga dhe lodhja fizike. Shumë nga strukturat sociale mbështetëse, vlerat që mësojnë në kompani apo sfidat e ndryshme intelektuale dhe emocionale që hasin ndodhin pikërisht në vendin e punës më shumë se kudo tjetër.  

Demerouti dhe Bakker (3) sugjerojnë se kur kërkesat dhe burimet e vëna në dispozicion nga kompania  janë në balancë me njëra tjetrën, kjo çon në produktivitet dhe mirëqenie të lartë. Nga ana tjetër, kërkesa shumë të larta dhe mungesa e burimeve mund të çojnë në konsumim profesional dhe dështim nga ana organizative.

Çfarë do të ndodhte nqs kompania do të ndihmonte punonjësit të kishin një mirëqenie shumë të lartë? Një tjetër artikull i Gallup(4) na tregon këtë:

“Kur mirëqenia e punonjësve është duke lulëzuar, kompania përfiton drejtpërdrejt – ata marrin më pak leje kur sëmuren,  japin rezultate më të larta, kanë nivele më të ulëta konsumimi profesional dhe largimi nga puna. Por, kur mirëqenia e punonjësve në kompani është e ulët, ashtu janë edhe rezultatet e kompanisë.” Në po të njëjtin artikull mund të gjeni edhe disa statistika që mund t'iu duken interesante.

E kuptuam, kujdesi për mirëqenien e punonjësve në kompani është shumë më tepër sesa thjesht një trend i ri në botën e HR. Por çfarë mund të bëjnë kompanitë dhe departamentet e HR duke pasur këtë informacion në mendje? Ja disa nga sugjerimet e mia:

  1. Planifiko dhe nxit për objektiva realiste pune, duke marrë parasysh edhe mirëqenien e punonjësve në planet 3 mujore apo  vjetore.
  2. Eduko punonjësit e niveleve të ndryshme, (sidomos menaxherët dhe nivelet e larta drejtuese) për të kuptuar se produktiviteti i vërtetë vjen nga një mirëqenie e lartë, për secilin individ në kompani.
  3. Mat nivelin e mirëqenies në punë, produktivitetit dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në kompani. Feedback-u i vazhdueshëm, qoftë me pyetësorë, qoftë duke komunikuar individualisht të jep një pamje më të qartë se çfarë funksionon ose jo në kompani. (Përfshirë këtu edhe nismat e ndryshme që HR mund të marrë për të nxitur mirëqenien).

Duke shpresuar që kam arritur të hulumtoj mjaftueshëm për ti dhënë përgjigjë pyetjes sime, dua t’a mbyll këtë artikull me dy fjali. Për mua, është detyra e departamentit (ose edhe personit) që merret me burimet njerëzore për të vënë në balancë peshoren midis produktivitet të lartë, me punonjës që arrijnë rezultatet që u kërkon kompania dhe mirëqenies së plotë të punonjësve. Si HR, nuk duhet të harrojmë se punonjësit e kompanisë sonë përpara se të jenë të tillë, jane njerëz që kanë nevojë për përkujdesje dhe mjetet e duhura për të qenë “mirë”. 

________________________

Referenca:

  1. https://dictionary.cambridge.org/dictionary/english/well-being
  1. https://students.wlu.ca/wellness-and-recreation/health-and-wellness/wellness-education/dimensions.html
  1. https://www.researchgate.net/publication/11920243_The_Job_Demands-Resources_Model_of_Burnout 
  1. https://www.gallup.com/workplace/215924/well-being.aspx 
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
Review Your Cart
0
Add Coupon Code
Subtotal
Total Installment Payments
Bundle Discount